Sot, ata që dje votuan për të mbyllur listat janë kapluar nga ethet e panikut. I dëgjojmë të pyesin në korridoret e politikës: “A do të jem unë në listën e mbyllyr? A do të më shpëtojë edhe kësaj here kryetari?” Ata që e shisnin listën e mbyllur si vendim për “vlerësimin e kontributeve”, tani nuk kanë asnjë garanci se do të jenë sërish në listat e kryetarëve. Ata që menduan se do ishin të sigurt pas kësaj skeme, tani përballen me realitetin e pamëshirshëm: kur fati yt varet nga një vendim i marrë në një zyrë të errët, atëherë nuk je më një përfaqësues i qytetarëve, por një shërbëtor i kryetarëve.
Për shumë vite, politika shqiptare ka qenë një skenë e stërmunduar nga një kastë që i frikësohet gjykimit të popullit dhe kërkon të mbrohet pas perdeve të errëta të marrëveshjeve të fshehta. Ata që dikur propagandonin “votën e lirë” dhe “përfaqësimin demokratik” tani shtrëngojnë radhët, mbyllin dyert dhe shpresojnë të mbijetojnë në hije. Po ata që dikur e shisnin veten si kampionë të demokracisë, sot dridhen para një realiteti të thjeshtë: ata nuk vlejnë dot pa mburojën e një liste të mbyllur.
Por le ta themi troç: politika nuk është një vend për ata që kërkojnë të fshihen. Një politikan që nuk guxon të dalë përballë qytetarëve, që nuk pranon gjykimin e votës së lirë, nuk është gjë tjetër veçse një hije e sistemit të vjetër, një kujtim i keq nga një epokë që duhet të marrë fund.
Lista e kryetarit është fortesa e frikacakëve. Lista e hapur është pikëtakimi me qytetarët. Një politikan i vërtetë nuk fshihet pas hijes së kryetarit. Një politikan i vërtetë shkon te qytetari, i kërkon votën, ballafaqohet me vlerat dhe veprimet e tij. Në listat e hapura, secili duhet të provojë pse meriton të përfaqësojë njerëzit. Ky është thelbi i demokracisë – llogaridhënie, meritokraci, përfaqësim i ndershëm i qytetarëve.
Koha për t’u ndarë përgjithmonë nga tranzicioni ka ardhur. Ne që besojmë në demokracinë e vërtetë, në Shqipërinë e njerëzve të lirë dhe të ndershëm, nuk mund të pranojmë të jemi pjesë e kësaj maskarade politike. Ne zgjedhim t’i besojmë votës së lirë, të dalim në fushën e betejës politike pa frikë, sepse e dimë se vetëm përmes transparencës dhe përfaqësimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mund të ndërtohet një Shqipëri më e mirë.
Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: a mund të kemi politikanë të ndershëm, nëse ata i frikësohen votës së qytetarëve?
Përgjigjja është e qartë. Sot është dita për të zgjedhur: ose me Shqipërinë e politikanëve të frikësuar që mbështeten në marrëveshje të errëta, ose me Shqipërinë e qytetarëve të lirë që kanë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre pa ndërmjetës.
Koha e politikës prapa perdeve po merr fund. Dhe kur ajo të bjerë, si çdo fortifikatë e kalbur, mos u çuditni kur të zbuloni se ata që e ngritën atë ngrehinë ishin ata që kishin më shumë frikë nga gjykimi i qytetarëve