“Unë diagnostikohem me kancer të gjirit.
I gjithë inati përzier me frikë pingulet mbi kokën time në formën e një pyetje: Pse unë? Çfarë kam bërë gabim? Kush më zgjodhi mua? “

~ MALKONY ~

Monodrama MALKONY është shkruar si një rekuiem për secilën prej tyre që fati e vendosi përballë kancerit të gjirit. Përmes një procesi të gjatë e delikat bisedash me gra dhe vajza, të cilat luftonin çdo ditë me këtë sëmundje që prek jo vetëm fizikun por veçanërisht psikikën e një gruaje, përfshirja ime emocionale ishte më e fortë se logjika.

 Fjalët, ndjesitë dhe realitetet e dhjetra grave erdhën dhe u mishëruan në personazhin e Anës. Ato gra të forta e të brishta në të njëjtën kohë, më besuan mua ndjesitë më të fshehta, frikërat, lotët dhe dramën e thellë që përjetonin. Nuk di ta dalloj,  nëse u dhashë unë jetë dhe zë dhimbjes së tyre, apo ato më dhanë mua motivin e madh për të shkruar, e më pas për të vënë në skenë dhe përjetuar monodramën MALKONY.

MALKONY – titulli  një mbivendosje fjalësh mes melankolisë dhe mallkimit, është  një homazh për ato gra që luftuan, por nuk mundën ta fitonin betejën me këtë sëmundje dhe një mbështetje për secilën prej tyre që përpiqet t’ja dalë përballë kancerit të gjirit.

Ana është secila prej tyre, Ana mund të jetë secila prej nesh, mund të jetë nëna, motra, vajza apo mikja jote, ndaj të  ftoj ta lexosh dhe të marrësh pak kohë për i/e dashur mik(e) që ke hyrë në blogun tim.


MALKONY – SKENA IV

Nuk fle dot… Edhe kur arrij të mbyll sytë zgjohem duke shpresuar se e gjithë kjo është një ëndërr. Më parë kur zgjohesha në mëngjes, zgjohesha duke menduar “kafe” tani zgjohem duke menduar “kancer”… Nuk dua ta bëj më të rëndë nga ç’është, por duhet të mësohem me këtë fjalë.

Ti ke kancer! Ti ke kancer!

Më besoni nuk është kjo më e keqja që mund t’ju ndodhi.  Tmerri vjen pas kësaj… Kur ti gjendesh papritur në udhëkryqin më të vështirë të jetës tënde nuk mund të zgjedhësh rrugën, sepse nuk arrin të shohësh. Nuk arrin të ndiesh më asgjë. Mendimet të mpihen, fjalët të mpihen, lotët të mpiksen,… Depresioni është më i keq se kanceri… Depresioni është vrasësi më i egër dhe më i pamëshirshëm. Ai vjen natën, kur është i sigurtë që ti je vetëm, të struket në një cep të krevatit dhe ngadalë bren dhe gërryen çdo fije shprese se mund t’ia dalësh, se mund ta fitosh këtë luftë. Ai kafshon çdo mendim të lumtur se mund të jetosh edhe pak më gjatë…   Ai përpin gjithçka, derisa brenda teje nuk mbetet asgjë veç dhimbjes.

 Oh jam kaq e papërgatitur për gjithë këtë dhimbje!

Dua të qaj me zë të lartë, të ulërij pa i mbytur dënesat në jastëk… Ngrihem! Të pi një kafe së bashku me kancerin tim dhe të vendos çdo të bëj me të. Doktorët më kanë dhënë një javë kohë, një javë pushim. Për pak çaste mund të shtirem se kjo nuk ka ndodhur… Ah sikur! Por nuk mund ta mënjanoj përgjithmonë, duhet ta pranoj…                                               

Vrapoj, zbres shkallët një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tete, nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë, …çfarë po numëroj javët apo muajt e mbetur? Nuk di të përgjigjem. Askush nuk di të më përgjigjet… Vazhdoj të zbres shkallët. Ku po zbres kaq poshtë? Vrapoj më shpejtësinë e një zogu të plagosur që bie, bie, bie në një rënie të lirë që nuk ka fund.

I gjithë inati përzier me frikë pingulet mbi kokën time në formën e një pyetje: Pse unë? Çfarë kam bërë gabim? Kush më zgjodhi mua? 


Për versionin e plotë kontakto: info@taulandajupi.com