Komunizmi në kryqëzimin mes kujtesës dhe historisë, të vërtetës dhe interpretimit.

PIN

Komunizmi nuk ishte një “etapë historike”, ishte një ZGJEDHJE E GABUAR, në anën e gabuar të ZHVILLIMIT HISTORIK të njerëzimit, pasojat e të cilës i vuajtën mijëra viktima, mijëra të burgosur  dhe të internuar politik.

  • Të burgosur  34150 persona nga të cilët rreth 7000 ishin gra 
  • Të ekzekutuar  ishin rreth 6027 nga të cilët rreth 300 ishin vajza dhe gra. 
  • Të internuar ishin rreth 60000 persona ose rreth  20,000 familje 
  • Të vdekur në internime rreth 7000 persona 

Nëse njohim viktimat, numrin dhe emrat e tyre, duhet të njohim dhe dënojmë ( jo vetëm moralisht) edhe persekutorët. Ky është një detyrim moral ndaj viktimave të genocidit në periudhën e komunizmit që kërkon sot më shumë se kurrë një angazhim gjithpërfshirës dhe vullnet, jo vetëm politik. 

Rindërtimi i historisë duket thelbësisht i kërcënuar nga nevoja për të rikrijuar një “periudhë historike” që i shmanget të vërtetës. 

Nëse për këtë rindërtim të historisë për të pasqyruar të kaluarën objektive të komunizmit në Shqipëri,  nuk ka transparencë, nuk ka ballafaqim me të vërtetën, nuk ka përballje me faktet shkencore, historile dhe kujtesën  emocionale,  me një prej diktaturave më të egra, kemi dështuar si shoqëri dhe thelbësisht  diçka nuk ka shkuar siç duhet në procesin e ballafaqimit tonë me të shkuarën diktatoriale.

Interpretimi i artefaktit historik me qëllim manipulimin e perceptimit për krimet, vrasjet dhe genocidin gjatë periudhës së komunizmit, ringjallja e simboleve dhe figurave të diktaturës totalitare komuniste në Shqipëri, bazuar në një nxitje dhe dakordësi shtetërore në veprimtari zyrtare publike gjatë qeverisjes së majtë në 8 vitet e fundit është  shkelje e parimeve dhe angazhimeve europiane për dënimin e komunizimit, po kështu një provokim i rëndë dhe i papranueshëm ndaj ndërgjegjes shoqërore në tërësi dhe viktimave të regjimit komunist në veçanti.

Zhvillimet politike dhe shoqërore të 30 viteve të tranzicionit, me gjithë kohën e konsiderueshme që ka kaluar prej rënies së komunizmit,  nuk kanë arritur në nxjerrjen e plotë të së vërtetës mbi krimet e komunizimit në Shqipëri, si dhe dënimin e ideatorëve, organizatorëve dhe zbatuesve të drejtëpërdrejtë  të regjimit diktatorial.

Në Shqipërinë e vitit 2021, 30 vite pas rënies së komunizmit nuk ka një datë zyrtare të dedikuar  për të kujtuar viktimat e komunzmit, nuk ka një mur të kujtesës, nuk ka një muze që dokumenton pa emfatizim dhe rijetëzon terrorin që përjetuan viktimat, të burgosurit, internuarit dhe familjarët e tyre. (Muzetë e ngritur mbi periudhën e komunizmit qoftë edhe ata që marrin çmime ndërkombëtare nuk paraqesin realitetin dhe artefaktet nxirren nga konteksti duke sjellë një paraqitje të përciptë të asaj që realisht ka ndodhur.) 

Duket se trauma e viktimave shpesh pa varre,  e familjeve të tyre dhe e vërteta mbi komunizmin Shqipëri zvarritet ende nën bodrumet e errët të torturave dhe nën rrogozët e manipulimit pa parë dritën dhe ballafaqimin me faktet dhe realitetin e gjithçka ndodhi në periudhën 1941-1991.

Akti antikushtetues me të cilin parlamenti ilegjitim u mohoi shqiptarëve, akademikëve dhe hulumtuesve të të gjitha fushave të drejtën për studimin dhe njohjen e historisë së  krimeve të komunistëve ndaj shqiptarëve në periudhën 1941-1945, është tregues i qartë i përpjekjes për të fshehur të vërtetën dhe manipuluar historinë. 

Transparenca dhe një raport i drejtë me të vërtetën për ndërgjegjësimin kombëtar mbi krimet e regjimit komunist, veçanërisht të të rinjve,  përmes edukimit në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, përmes kulturës dhe artit duhet të ketë në thelb nevojën e një reflektimi të thellë social duke filluar : 

Së pari, përfshirja në programet e edukimit e seksioneve të dedikuara për memorien dhe historinë në lidhje me faktet dhe të vërtetat mbi dhunën dhe terrorin gjatë periudhës së dikaturës në Shqipëri.

Së dyti, decentralizimi mbi të drejtën për hulumtim të institucioneve dhe individëve mbi periudhën 1941-1991. Ky decentralizim do të shmangte fabrikimin e kujtesës  historike dhe do të kontribuonte pashmangshmërisht në rindërtimin e historisë mbi fakte dhe ngjarje realisht të ndodhura.

Nëse nuk njohim të shkuarën nuk mund të perceptojmë të tashmen dhe as të projektojmë ardhmen e një shoqërie. Të tria kohërat kanë rëndësi vendimtare për fatet e një individi dhe një kombi. 

Përtej kësaj historia shqiptare e komunizmit nuk është vetëm historia jonë, nuk është vetëm historia e mijëra viktimave dhe familjeve të tyre, ajo është pjesë e historisë evropiane të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit. 

Taulanda Jupi