“MALKONY” bën bashkë gratë shqiptare në rajonin e Ballkanit

PIN

Monodrama MALKONY shkruar nga prof.asc. Taulanda Jupi – Universiteti i Arteve Tiranë, ka ardhur mbrëmjen e djeshme në Teatrin Shqiptar të Shkupit, si pjesë e projektit: “Ti ke mundësi të zgjedhësh, duaje veten, zgjidh jetën!“

Ky projekt i cili ka bërë bashkë gratë shqiptare në rajonin e Ballkanit zhvillohet në tre evente të zhanrit art-social, filloi mbrëmjen e djeshme në Shkup, do të vazhdojë në Kosovë dhe mbyllet në Tiranë. Mbrëmja në Shkup u zhvillua  me prezencën dhe kontributin e vyer të zonjave:  Taulanda Jupi – pedagoge/UART;  Adelina Marku – diplomate dhe opinioniste; Teuta Ajdini – aktore e Teatrit Shqiptar dhe Vala Adili – psikologe/psikoterspiste.

Teksti i vërtetë dhe rezultat i një pune të tjellë erdhi emocionues përmes interpretimit të zonjave që janë individualitete të spikatura në fushat e tyre të profesionit.

Si një rekuiem për të gjitha ato  gra dhe vajza që kanë humbur betejën me kancerin e gjirit, në mbështetje të secilës prej tyre që përballet me këtë sëmundje dhe për të ndërgjegjësuar çdo vajzë dhe grua të kujdeset për jetën e saj, ky projekt u zhvillua në kuadër të muajit Tetor që njihet si muaji i ndërgjegjësimit të luftës ndaj kancerit të gjirit.

Ndërgjegjësimi përmes artit dhe padyshim bërja bashkë e grave të trojeve shqipfolëse është një qasje e re drejt unifikimit  kulturor e social. Këtë fuqi e ka veç arti dhe kultura.