Buxheti për Kulturën dhe Artin

PIN

Domosdoshmëria e një Ligji i ri për Artin dhe Kulturën që shmang centralizimin

Analizë – paraqitur në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendi i Shqipërisë, në cilësinë e anëtares së Kryesisë së Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit 

14 Maj, 2018

Shqipëria aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, e ka buxhetin vjetor për artin dhe kulturën

16 milionë euro ose 0,7% të buxhetit vjetor të shtetit. Ministria e Kulturës radhitet e fundit për sa i përket peshës që ka në totalin e shpenzimeve për vitin 2018, pra 0,7% të totalit të buxhetit të shtetit.

Sipas zërave të kësaj ministrie, shpenzimet e saj do të shkojnë për: planifikim, menaxhim

dhe administrim, trashëgimi kulturore, muze, art dhe kulturë. Imagjinoni se sa për qind të 0,7%-it përfundojnë për artin dhe kulturën, veçanërisht për teatrin, i cili, më lejoni t’jua kujtoj, është i vetmi art, së bashku me kinematografinë, që i flet botës shqip.

Më lejoni t’ju citoj diçka, që vetë ky komision e ka shkruar në raportin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2018”: 

“Vëmendje u kushtohet mirëmbajtjes së 2400 objekteve të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, përmes kalendarëve artistikë, ato do t’i kthejnë këto në qendra të hapura dhe vlera kulturore. Po kështu, në sajë të këtij buxheti, do të ristrukturohen edhe disa objekte të kultit, siç janë kishat dhe xhamitë”.

Shpërndarja në përqindje e zërave të këtij buxheti duket se shterohet magjishëm nga togfjalëshi “trashëgimi kulturore”. Trashëgimia kulturore është dhe duhet të jetë një element krenarie kombëtare për atë që kemi qenë, por kjo nuk duhet të pengojë atë që ne jemi sot dhe sidomos projektimin tonë kulturor dhe social në të ardhmen.

Sipas parimeve demografike të një shoqërie, 27 vjet do të thotë një brez. Unë ju siguroj se në këta 27 vjet përpëlitje, në mungesë të mekanizmave dhe strategjive për artin e kulturën në përgjithësi dhe në menyrë specifike për teatrin, shoqëria shqiptare e ka humbur një brez artistësh të skenës dhe ekranit. E gjithë kjo përpjekje që ne bëjmë sot nuk është një përpjekje thjesht dhe vetëm për sot, nuk është një përpjekje thjesht dhe vetëm për të ngritur shpërblimet, nuk është një përpjekje thjesht dhe vetëm për shumë fonde për teatrin, por ka në thelb vendosmërinë për ta ndryshuar këtë realitet përmes propozimeve për hartimin e strategjive në koncepte të reja reale.

Rritja e buxheti për artin dhe kulturën, vendosja e tij të paktën në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, mbetet një nevojë emergjente. Që rritja e buxheti për artin dhe kulturën të jetë efikase, duhet patjetër të jetë e shoqëruar me një ligj për artin dhe kulturën, thelbi i të cilit të jetë krijimi i një strategjie kombëtare, i krijimit të elitës kulturore të vendit, i krijimit të autonomisë së artistëve, pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje, si dhe në përcaktimin e politikave kulturore.

Ligji aktual “Për artin dhe kulturën” është shumë i përgjithshëm, ndaj ai duhet të ndahet në disa ligje të tjera, siç është krijimi i një ligji të veçantë për teatrin, në të cilin të përcaktohen qartë statusi i Teatrit Kombëtar, struktura dhe buxheti i tij, statuset e teatrove të rretheve dhe krijimin e teatrove rajonale, që janë në varësi të pushtetit lokal, ku buxheti i tyre të përcaktohet me anë të një përqindje të përcaktuar të buxheteve lokale dhe jo sipas dëshirës së drejtuesve të pushteteve lokalë, si dhe rikrijimi i Qendrës Kombëtare për Artin Skenik.

Filozofia aktuale e buxhetit për artin dhe kulturën është shpërndarja e tyre në shumë projekte, të cilat realizohen me buxhete shumë të ulëta, duke i lënë artistët në kufijtë e mbijetesës, duke mos krijuar vazhdimësi, duke i nxjerrë ata nga funksioni profesional dhe duke i zbritur në kufijtë e amatorizmit.

Kjo mënyrë shpërndarjeje e buxheteve është e centralizuar, ku të gjitha vendimet për projektet e kulturës merren nga ministri apo nga bordet e vendosura prej tij, përjashton artistët nga vendimmarrja dhe nuk krijon mundësinë e një sistemi të qartë të funksionimit të skemave menaxheriale në art. Ndaj, një ligj i ri për artin dhe kulturën i riparon këto defekte dhe është një domosdoshmëri.

Meqenëse sistemet krahasuese përbëjnë gjithmonë thelbin në ndërtimin e strategjive, më lejoni të sjell disa shifra në lidhje me buxhetet për kulturën në vendet e rajonit: •Serbia, 3% të buxhetit vjetor ose 112 milionë euro; 

•Maqedonia, 3% të buxhetit vjetor ose 69 milionë euro; 

•Kroacia, 3% të buxheti vjetor ose 117 milionë euro; 

•Mali i Zi, 9,94% të buxhetit vjetor, por këtu përfshihen, përveç artit dhe kulturës, edhe sporti dhe media. 

Ndaj, ne kërkojmë të paktën barazimin ose krahasimin, në nivele të pranueshme të buxhetit shqiptar për artin dhe kulturën, me vendet e rajonit.