“Njëshi” i zerove

PIN

”Ata që nuk mund të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.”

~George Santayana

Filozofi dhe shkrimtari spanjoll George Santayana, jo vetëm paralajmëron, por ai na nxit të shquajmë drejt dhe qartë faktet e dhimbshme të historisë, duke u përpjekur të parandalojmë përsëritjen e tyre. Historia është ciklike, por, pavarësisht kësaj, nuk mund të parashikojmë sesi do të shfaqet apo projektohet përsëritja e një fakti apo e një dukurie sociale, sepse përsëritja e një fenomeni historik nuk është asnjëherë identike. Megjithatë, sado dhe sido të ketë ndryshuar realiteti social gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, veçanërisht në formë, duhet pranuar se frika, dhuna, terrori dhe propaganda, mbeten ende mjete të preferuara dhe fatkeqësisht efikase në duar të liderëve autokratë, të cilët fshihen më së miri pas një imazhi fals të demokracisë.

Realiteti shqiptar dhe Edi Rama janë një model tipik i kësaj strategjie. Propaganda, mekanizmi, i cili përdoret në mënyrë të shfrenuar duke targetuar jo vetëm shqiptarët, por veçanërisht faktorin ndërkombëtar, sot ka krijuar imazhin se Shqipëria është de facto dhe de jure një sistem demokratik, i cili ka kompletuar organigramën e tij institucionale si parakusht formal të ekzistencës së tij. Por kjo uverture nuk pasohet nga asnjë akt vijues, në të cilin të shtjellohet sistemi funksional i këtyre strukturave, nuk ka asnjë akt vijues që të kapërcejë formën për të analizuar brendinë.

Realiteti socio–politik shqiptar ka të gjithë fasadën, dukjen dhe formën e një sistemi demokratik. Por a funksionojnë këto institucione, struktura dhe organe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet bazë, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një sistem demokratik?

A ka sot në Shqipëri ndarje dhe balancë të pushteteve?

A kemi sot një Shqipëri ku sundon ligji dhe e drejta?

A kemi sot në Shqipëri një sistem të pavarur drejtësie?

A janë sot në Shqipëri të gjithë të barabartë para ligjit?

A kemi ne sot një përfaqësim të drejtë në qeverisje, qoftë kjo qendrore apo lokale?

A kemi sot një Parlament funksional?

A kemi sot në Shqipëri liri të medias, shtypit, liri të mendimit dhe fjalës?

Pse demokracia po merr trajtat e një diktature në Shqipëri?

Sepse ne, shqiptarët, po e lejojmë. Fajtori është NJË, përgjegjës jemi të gjithë.

Rruga drejt demokracisë është e vështirë, sepse demokracia kërkon përpjekje dhe sakrifica që jo gjithmonë jemi të gatshëm dhe kemi vullnetin t’i bëjmë. Nëse sot ndodhemi në këtë situatë kritike, edhe ne si qytetarë jemi përgjegjës për heshtjen, indiferencën, përuljen, mosreagimin, apatinë. Përgjegjës, sepse zgjedhim gjithmonë rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë, përgjegjës pse antivlerat i kemi kthyer në vlera, jemi përgjegjës pse durojmë nënshtrimin, frustrimin, zhgënjimin, vjedhjen, mashtrimin, përgjegjës pse zgjedhim largimin në vend të përballjes. Ne jemi përgjegjës se kemi humbur besimin, por mbi të gjitha jemi përgjegjës ndaj së vërtetës.

E vërteta është se në Shqipëri nuk ka ndarje dhe balancë të pushteteve, përkundrazi, ato ndodhen sot në duar të NJË njeriu të vetëm.

E vërteta është se Parlamenti ilegjitim sot miraton ligje antikushtetues që kanë vetëm një qëllim: forcimin e pushtetit të një njeriu të vetëm.

E vërteta është se në Shqipëri, “barazia para ligjit” është një koncept juridik larg realitetit, sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur, madje institucione të rëndësishme të tij, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, janë jashtë funksioni, duke krijuar hapësira dhe mekanizma që shkojnë në favor të pushtetit të NJË njeriu të vetëm.

E vërteta është se sot kemi një krizë përfaqësimi në të gjitha nivelet dhe institucionet e pushtetit vendor dhe lokal, pasi individë me rekorde kriminale janë emëruar apo “zgjedhur” nga NJË njeri i vetëm dhe për t’i shërbyer NJË padroni të vetëm.

E vërteta është se në Shqipëri, liria e shtypit dhe medias, shprehja e fjalës dhe mendimit të lirë ka bërë hapa të dukshëm pas.

Këto janë të vërtetat e mëdha, me të cilat lidhen në mënyrë direkte ato të vërtetat tona të përditshme, si: puna që nuk e gjejmë dot, pagat e ulëta, taksat që na rriten, na shtohen e na vidhen çdo muaj, ilaçet që prindërit tanë nuk mund t’i blejnë se ai i shkreti pension nuk mjafton, shëndetësia ku mungojnë shërbimet e duhura, mjekët dhe infermierët, çmimet e ushqimeve që rriten çdo ditë, edukimi dhe shkollimi, i cili nuk është ai që duam për fëmijët tanë, pasiguria për jetën, mjerimi dhe skamja që na rrethon, e sotmja që na tremb dhe e ardhmja që na tmerron. Këto janë të vërtetat tona që na gjunjëzojnë çdo ditë e më tepër dhe na bëjnë të harrojmë detyrat tona si qytetarë, ndaj PO, ne jemi përgjegjës, por fajtori është vetëm NJE, ai është Edi Rama.

Gjatë qeverisjes së tij, Edi Rama e ktheu politikën nga një përballje platformash, idesh apo vizionesh për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, në një retorikë false, përçarëse, frustruese, bulliste, kërcënuese, ku gjithmonë dikush është armiku dhe fajtori i radhës, ku ai var mëkatet e dështimit tij.

Por fajtori i vërtetë është ai, me UNIN e tij të vetëkënaqun deri në delir për gjunjëzimin, nëpërkëmbjen, zhvatjen, talljen, përbuzjen, mashtrimin që na hedh çdo ditë si ushqim, duke na zhbërë si individë dhe duke na shndërruar në turmë që duhet vetëm të bindet dhe të mos reagojë.

Ai është NJË njeri i vetëm, me unin tij të pangopur për pushtet që tallavitet në skenografira hamletiane një herë si zoti shpëtimtar i njerëzve, një herë si tokësori që qan e vuan bashkë me ta, një herë me pelerinë e një herë më çitjane, një herë si këngëtar e një herë si aktor.

Përtej asaj që duket, ai gjendet sot i vetëshpallur NJËSH mes zerove që e rrethojnë. Zero si numri i vendeve të reja të punës, zero si shifra e investimeve të huaja, zero si politikat dhe rezultatet në zhvillimin ekonomik, zero si reformat e dështuara në drejtësi, në arsim dhe në shëndetësi, zero si rezultatet në integrim dhe negociata, zero si standardet në zgjedhje.

Pas këtyre shtatë viteve të vështira dhe të lodhshme të qeverisjes së Edi Ramës, duhet të bërtasim një të vërtetë të madhe se, problemi nuk është vetëm njëshi, por sidomos realiteti i ZEROVE që prodhon ai.

Sfidën, pra, e kemi me veten dhe atë çfarë duam të jemi. Nëse duam t’i bashkohemi turmës së zerove pas unit të Edi Ramës, jemi “në rrugë të mbarë” të shumëzimit me zero, jemi në “rrugë të mbarë” drejt dështimit total si qytetarë të një shoqërie, që ka vetëm reminishencën e demokracisë dhe zhvillimit.

Prof. asc. Taulanda Jupi